Turneu më i madh informativ për prezantimin e atraksioneve turistike të Maqedonisë

Pjesë

Agjencia për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit të Republikës së Maqedonisë së bashku me  NPT Turs organizon turneun më të madh informativ deri më tani me ekipe të gazetarëve të rajonit. Më shumë se dhjetë shtëpi mediale nga Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, të specializuara për turizëm, në katër ditët e ardhshme do t’i vizitojnë atraksionet më të bukura turistike në Republikën e Maqedonisë.

Qyteti i Shkupit me Çarshinë e Vjetër, Stacionin e vjetër të trenave, Shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës, kishat Shën Spasi (Shëlbuesi), Shën Dimitri, sheshin Maqedonia, gastronominë dhe Kalanë janë vetëm një pjesë e vogël e lokacioneve për ditën e parë.

Dita e dytë është e rezervuar për manastirin Shën Pantelejmon, kanjonin Matkë me shpellën Vrello, Parkun Kombëtar të Mavrovës, kishën Shën Jovan Bigorski (Mbiguri), Liqenin e Dibrës, qytetet Dibër dhe Strugë, ku gazetarët do të kenë mundësinë për të parë bukuritë natyrore dhe për të parë mundësitë e turizmit rural, ekoturizmit dhe format alternative të turizmit me të cilin kjo pjesë e Maqedonisë është e pasur.

Dita e mërkurës është e rezervuar për destinacionin më të vizituar turistik në Maqedoni, qytetin e Ohrit dhe Rivierën e Ohrit, duke vizituar monumentet e tija natyrore dhe kulturore, gastronominë dhe mistikën të cilën e zotëron si qytet nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Dita e fundit do t’i përkushtohet qytetit të konsujve – Manastiri dhe rajonit të verës së Maqedonisë, duke vizituar rrugën e verës dhe duke provuar disa lloje cilësore të verërave të Maqedonisë.

Ky lloj i udhëtimeve të organizuara informative është rezultat i pjesëmarrjes së Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit të Republikës së Maqedonisë dhe sektorit të turizmit në panairet rajonale të turizmit dhe mundëson prezantimin e potencialeve turistike të Maqedonisë në më shumë se pesëmbëdhjetë mediat rajonale.